Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit (QKMK)

Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit (QKMK), është themeluar sipas Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, Nr. 04/ L-072 SI DHE PLOTëSIM NDRYSHIMIN E KëTIJ Ligji, Ligjit për Kontroll të kufirit Shtetëror Nr. 04/L-214 dhe funkisonet, detyrat dhe përgjegjësitë e veta i kryen bazuar në Udhëzimin  Administrativ Nr. 14/2013.

QKMK që nga  data, 11.01.2013 është e vendosur në ndërtesën e MPB-së dhe përbëhet nga zyrtarë të Policisë Kufitare,  Doganës së Kosovës, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe përfaqësues të agjencive tjera të Republikës së Kosovës dhe oficerëve për ndërlidhje nga shtetet tjera,  kur kjo është e nevojshme duke pasur këtë synim:

“Arritjen e bashkërendimit efikas, lehtësimit të shkëmbimit të dhënave dhe informatave si dhe efikasitet më të madh të sistemit për menaxhim të integruar të kufirit”

Detyrat kryesore dhe përgjegjësitë e QKMK-së janë të parapara në UA dhe Procedurën Standarde të Operimit (PSO) për QKMK.

Bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që i ka QKMK-ja, është e strukturuar si më poshtë:

•    Zyra e Koordinatorit të QKMK-së,
•    Dhoma Operative-Koordinuese (DHOK),
•    Qendra e Thirrjeve dhe
•    Dhoma për Menaxhimin e Rrezikut dhe Kërcënimeve (DHMRK).
   
Zyra e Koordintorit të QKMK-së, udhëhiqet nga Koordinatori i QKMK, i cili ka përgjegjësinë e përgjithshme për menaxhimin dhe drejtimin e punës, planifikimin, motivimin, shpërndarjen dhe mbikëqyrjen e zyrtarëve të QKMK-së. Informon dhe raporton te Koordinatori Nacional për MIK si dhe Udhëheqësit e autoriteteve të MIK-ut për çfarëdo situate apo ngjarje që bie ndesh me legjislacionin në fuqi; Bashkëpunon dhe bashkërendon me të gjitha autoritetet e zbatimit të ligjit; Pikë qendrore e ndërlidhjes gjatë operimeve të përbashkëta me të gjitha autoritetet përgjegjëse për zbatimin e ligjit në kontrollin shtetëror të kufirit të Republikës së Kosovës; Pikë qendrore e ndërlidhjes për institucionet qeveritare dhe joqeveritare, vizitor nga përfaqësitë e ndryshme diplomatike në Republikën e Kosovës, EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët tjerë. Koordinatori i QKMK-së, planifikon strategjitë e punës dhe përcjell zbatimin e tyre.

Dhoma Operative Koordinuese (DHOK): funksionon 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, ku janë katër ndërrime që punojnë nga 12 orë për ndërrim. Zyrtarët në QKMK kryejnë detyra të caktuara sipas UA dhe PSO për QKMK. Në veçanti ata përcjellin në mënyrë të vazhdueshme përmes monitorëve të vendosur në DHOK, pamjet që i sjellin kamerat e instaluara nëpër PKK duke analizuar në veçanti: mbarëvajtjen e punës, rastet e shkeljeve të Kodit Etik për zyrtarët kufitar dhe shkeljeve procedurale, aktet korruptive dhe informatat mbi aktivitetet kontrabanduese. Në përgjithësi QKMK bashkërendon “ Veprimet e ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të krimit dhe  akteve të kundërligjshme në kufi, ato ndërkufitare dhe më  gjerë duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovë, Legjislacionit në fuqi, Marrëveshjeve Ndërkombëtare, si dhe Standardeve të BE-së”. QKMK-ja është vizituar nga shumë delegacione të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore. Vizita më e rëndësishme gjatë kësaj periudhe, ka qenë vizita e ekipit vlerësues nga Komisioni  Evropian, rreth përmbushjes së kushteve për liberalizimin e vizave, ku pas asaj vizite ai ekip na ka përgëzuar për punën që kryen Qendra, duke shprehur mendimin se Qendra jonë është një prej qendrave më të mira në rajon.

Qendra e Thirrjeve: pa pagesë apo hot-line në numrin 080050095 sms 50095 dhe e-mail adresa: [email protected] për raportim të rasteve të dyshimta, aktiviteteve kontrabanduese dhe dukurive korruptive d.m.th. qytetarët mund  të lajmërojnë çdo vërejtje që kanë në punën e autoriteteteve kufitare për kontrollin e kufirit; çdo lloj aktiviteti joligjor që ndodhë në  brendi të territorit të Republikës së Kosovës apo edhe informata për planifikimin e aktiviteteve joligjore në vende tjera e që parashikohen të barten në Kosovë. Nga telefonatat e pranuara në Qendrën e Thirrjeve kemi parandaluar shumë raste të tentim kontrabandimit me mallrat të ndryshme, cenimit të sigurisë kufitare dhe shëndetit publik  si në hyrje,  dalje  dhe në brendi të territorit të Republikës së Kosovës.

QKMK inkurajon qytetarët që të rrisin nivelin e bashkëpunimit duke u garantuar besueshmërinë e informatës dhe ruajtjen e informacionit. Të gjitha materialet (incizimet, bisedat, etj) QKMK i trajton në përputhje me Ligjin Nr. 03/ L-172 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Dhoma për Menaxhimin e Rrezikut dhe Kërcënimeve (DHMRK), në përbërje të vet ka  Njësinë e Përbashkët për Inteligjencë, Analizë të Rrezikut dhe Kërcënimeve, ku veprojnë zyrtarë të  Policisë Kufitare, Doganës së Kosovës dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Ky njësit merret me identifikimin, mbledhjen, analizën, vlerësimin e rrezikut dhe kërcënimeve dhe parimisht shpërndarjen,  monitorimin dhe  testimin e informatave. Gjithashtu përpilon raportet e përbashkëta për vlerësimin e shkallës së rrezikut dhe kërcënimeve për PKK dhe vijën e gjelbër dhe kaltër.