Prishtinë, 9 mars 2010 Ministri i Punëve të Brendshme, z. Zenun Pajaziti i drejtoi një apel qytetarëve të Republikës së Kosovës që të kenë kujdes në trafikun rrugor, ku pas kushteve të rënda atmosferike në javën e parë të muajit mars të këtij viti, kanë humbur jetën shtatë qytetarë të Kosovës.
Në apelin e ministrit Pajaziti thuhet: Në javën e parë të muajit mars 2010, kemi 7 qytetarë që kanë humbur jetën tragjikisht, në 5 aksidente rrugore në Republikën e Kosovës. Statistikat e muajit janar dhe shkurt na përkujtojnë se situata është shqetësuese, ku vetëm për këta dy muaj kemi 35 të vdekur.
Duke i marrë parasysh faktet e lartpërmendura dhe po ashtu kushtet atmosferike që mbretërojnë këto ditë, apeloj te qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
Ju këshilloj që të shmangeni, për aq sa ju lejojnë rrethanat nga vozitja në këto kushte atmosferike. Shfrytëzoni për aq sa ju lejojnë mundësitë transportin publik, apo edhe transportet e tjera alternative.
Apelojmë tek moshat e reja, që mundësisht ti shmangen vozitjes, veçanërisht në orët e vona gjatë vikendeve. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që ti bashkëngjiten kësaj thirrjeje për ruajtjen dhe shpëtimin e jetëve.
Policia e Kosovës, tashmë ka hartuar një plan të përkohshëm të quajtur Shpëtimi i jetës, me qëllim që ti minimizojë aksidentet me fatalitet. Detajet e planit do ti prezantohen publikut në ditët në vijim nga Policia e Kosovës, theksohet në apelin dërguar mediave të ministrit të Punëve të Brendshme, z. Zenun Pajaziti.