Prishtinë, 28 janar 10 Sot, në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës u bë prezantimi i projektit për krijimin e Këshillave komunale për Siguri në Bashkësi (MCSC) dhe adoptimin e strategjisë për siguri të komuniteteve.
Ministria e Punëve të Brendshme e përkrahur drejtpërdrejt nga UNDP KOSSAC dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, OSBE dhe ICITAP e kanë përkrahur zbatimin e gjashtë komuniteteve të sigurta në Kosovë. Këto komunitete të sigurta gjenden në Pejë, Shtërpcë, Podujevë, Istog, Prizren dhe Skënderaj.
Në këtë prezantim morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, z. Zenun Pajaziti, zëvendësdrejtori i UNDP-së, Tetsuo Kondo, kryetari i Komunës së Pejës, z. Ali Berisha, kryetari i Komunës së Skënderajt, z. Sami Lushtaku, si dhe përfaqësuesit e komunave të Shtërpcës, Podujevës, Istogut dhe Prizrenit.
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Zenun Pajaziti tha se sot po e prezentojmë para juve zhvillimin e punës së këtyre mekanizmave që janë risi në Kosovë. Kjo vjen si mbështetje e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e mbështetur nga UNDP dhe KOSSAC, të cilat i falënderojmë për mbështetjen që e kanë bërë dhe po ashtu shpreh falënderimin për Departamentin për Siguri Publike të MPB-së, i cili kohëve të fundit e ka patur promovimin e disa angazhimeve në kuadër të fushëveprimit të tyre. Në veçanti më lejoni ti falënderoj kryetarët e komunave, pa mbështetjen e të cilëve nuk ishte i mundur zhvillimi i këtij projekti. Padyshim, ky projekt e vë në funksion edhe më të madh cilësinë e bashkëpunimit midis komunave, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.
Duke folur për rëndësinë dhe implementimin këtij projekti, ministri Pajaziti theksoi se esenca e këtij projekti është që në një mënyrë po e bëjmë një ndryshim nga koncepti i kaluar për sigurinë dhe këtij të tashmit dhe siç e dini më përpara në fokus ka qenë rendi publik për shkak se institucionet, pra shteti ka patur interes që të kenë kujdes nga trazirat e ndryshme dhe nga aktivitetet e ndryshme që janë në kundërshtim me rendin. Sot, po instalojmë një projekt, i cili ka të bëj me vendosjen e sigurisë së individit në qendër të vëmendjes, pra një koncept të sigurisë individuale. Kjo nuk mund të arrihet pa një bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të sigurisë, institucioneve komunale dhe pa bashkëpunimin e qytetarëve. Ky është një koncept i demokracive moderne, pra ne gradualisht po bëjmë punë duke marrë modele të avancuara perëndimore të demokracive, të cilat kanë patur suksese në këtë drejtim, theksoi ndër të tjera ministri i Punëve të Brendshme, z. Zenun Pajaziti.
Në këtë prezentim folën edhe zëvendësdrejtori i UNDP-së, Tetsuo Kondo, kryetari i Komunës së Pejës, z. Ali Berisha, kryetari i Komunës së Skënderajt, z. Sami Lushtaku, përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, si dhe përfaqësuesi i Komunës së Istogut.