Në Deçan u vu gurëthemeli i objektit të ri i QKRC-së dhe QRA-së
Në Deçan u vu gurëthemeli i objektit të ri i Qendrës Komunale të Regjistrimit Civil dhe Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve. Në këtë ceremoni morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i shoqëruar nga zëvendësministri, Ismet Ibishi, kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se Ministria e Punëve të Brndshme ka për detyrë që në ato komuna të cilat kanë nevojë për investime, që sikurse komuna e Deçanit, të vë në prioritet kërkesat e tyre kur janë në të mirë të qytetarëve.
Me këtë rast falënderojë komunën e Deçanit, për ndarjen e lokacionit në afërsi të komunës për ndërtimin e këtij objekti dhe pamvarësisht se koha nuk është në favorin tonë për vazhdim të punimeve, megjithatë shpresojmë që në pranverën e vitit 2013, së bashku do të bëjmë përurimin këtij objekti të një rëndësie të veçantë për banorët e kësaj komune, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, falënderoi ministrin për vizitën dhe për përkrahjen në realizimin e këtij projekti dhe se ky objekt do të krijoj kushte të mira dhe me standarde të larta në komunën e Deçanit, andaj është mirënjohës në bashkëpunim dhe shpresoi edhe në bashkëpunime tjera në të ardhmen.
Për këtë objekt komuna e Deçanit ka ndarë lokacionin, ndërsa MPB ka ndarë rreth 250 mijë euro.
Ndërtimi i objekteve të Qendrave Komunale të Regjistrimit Civil dhe Qendrave Komunale të Regjistrimit të Automjeteve, përveç në Deçan do të ndërtohen edhe në Suharekë, Gjakovë, Skënderaj, Podujevë dhe Vushtrri.









